Ilustrim

Arrestohet pas katër ditësh i dyshuari që u arratis nga dritarja e Stacionit policor në Shtime

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person që u arratis nga Stacioni policor në Shtime më 4 maj të këtij viti.

Arratisja e të dyshuarit, B.A., kishte ndodhur gjatë kohës kur ai pritej që të intervistohej. Raporti policor tregon se ai kishte kërcyer nga një dritare e këtij stacioni.

“…Pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër i cili ishte në pritje për intervistim ka arrit të arratiset nga zyra e intervistimit përmes dritares” -thuhet mes tjerash në raportin ditor policor të datës 5 maj 2023, për rastin e ndodhur një ditë më parë.

Fillimisht arrestimi i tij ishte bërë nën dyshimin se së bashku me A.A., kishin kryer një rast të kanosjes me armë.

A.A., 61-vjeçar dhe B.A. 41-vjeçar kishin rënë në prangat e Policisë pasi të njëjtit, pas një mosmarrëveshje kishin kanosur J.V., 45-vjeçar.

Në vendin e ngjarjes, policët e rastit kishin konfiskuar një armë zjarri automatike AK-47 dhe një armë tjetër të zjarrit dhe një sasi të municionit.

Po atë natë, të dyshuarit ishin shoqëruar në Stacionin e policisë në Shtime dhe fillimisht ishte intervistuar 61-vjeçari, i cili me vendim të prokurorit kujdestar ishte dërguar në mbajtje për 48-orë.

Pas tij, pritej që të intervistohej edhe i dyshuari B.A., mirëpo i njëjti derisa ishte duke pritur ishte arratisur nga stacioni i policisë duke kërcyer nga dritarja.

Ai është arrestuar si dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të tjera hetimore.

Pistoleta që është sekuestruar në rastin e ndodhur me 4 maj. Foto: Policia e Kosovës
Automatiku AK-47 që është sekuestruar në rastin e ndodhur me 4 maj. Foto: Policia e Kosovës