Foto: Ilustrim

Arrestohet një vajzë për tentim vrasje në Ferizaj

Policia e Ferizajt, ka arrestuar një vajzë të dyshuar për tentim vrasje. E dyshuari 23 vjeçare me inicialet E.H, sipas Policisë së Kosovës, ka goditur me thikë një burrë të moshës 38 vjeçare me inicialet P.A, duke i shkaktuar lëndime, për çfarë viktima i është nënshtruar tretmanit mjekësor në Spitalin e Ferizajt. Nevojë për intervenim të mjekut, sipas Policisë, ka pasur edhe e dyshuara.

“Në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja është arrestuar personi i dyshuar me inicialet E.H (F/K) e moshës 23 vjeçare, e cila kishte therur me një mjet të fortë (thikë) personin tjetër me inicialet P.A (M/K) i moshës 38 vjeçar, duke i shkaktuar lëndime trupore, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Njëjtë, tretman mjekësorë ka pranuar edhe e dyshuara në këtë rast,  e cila më pas është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizajt.

Shkak i këtij incidenti ishte një mosmarrëveshje që palët kishin mes vete, saktësojnë organet e rendit, të cilat rastin e kanë cilësuar si vrasje në tentativë.

Hulumtimin e mëtejmë të kësaj ngjarjeje, do ta bëjnë edhe Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj, me qëllim të mbledhjes së dëshmive materiale dhe deklarative se si ka ardhur deri te incidenti, për të cilin Stacioni policor në mbrëmë rreth orës 19:40 kishin marr informacionin se në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani” ka ndodhur një rast therjeje me thikë.

E dyshuara, sipas organeve të rendit, pasi intervistohet nga hetuesit rajonal, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.