Ilustrim

Arrestohet një rreshter i policisë në Pejë

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor.

Sipas komunikatës, zyrtari i arrestuar, i cili dyshohet se mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme, është zyrtar policor me gradën e rreshterit në Stacionin Policor në Pejë.

Arrestimi i të dyshuarit nga hetuesit IP-së, sipas komunikatës, është bërë në bazë të një denoncimi që policia kishte pranuar rreth një muaj më parë në rrugë operative ndaj zyrtarit në fjalë, për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme.

“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Inspektorati Policor ka njoftuar operacioni ka vazhduar me bastisje në Pejë bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.

Të arrestuarit, me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.