Foto: Ilustrim

Arrestohet një person në Vërmicë, tenton t`i jap 10 euro ryshfet zyrtarit policor

 

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar në Vërmicë pasi  njëjti kishte tentuar ti jap ryshfet zyrtarëve policor.

Një shtetas nga Shqipëria gjatë kalimit të kufirit Shqipëri-Kosovë, kishte tentuar që t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë gjatë kontrolleve të kalimit kufitar, ka njoftuar PK.

“Shtetasi shqiptar me inicialet  Q.H, i lindur në vitin 1971, gjatë procesit të kontrollit, në pasaportën e tij kishte lënë një kartëmonedhë (10 euro), dhe kur është pyetur nga zyrtari  kufitar për kartëmonedhën, i njëjti ishte përgjigjur se i kishte lënë për kafe”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në njoftimin e policisë tutje thuhet se zyrtarët policorë kanë marrë masat e nevojshme, është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit  personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës si dhe kartëmonedha është konfiskuar si dëshmi materiale.

Me urdhër të prokurorit personi i dyshuar është dërguar në qendrën e ndalimit, kurse malli së bashku me automjetin është kthyer prapa.