Arrestohet një ish-zyrtar policor serb, reagon Petkoviq

Ish-zyrtari policor Dejan Pantiq është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese.

Media serbe Tanjug raportoi se për këtë çështje ka reaguar edhe Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Sic raporton Tanjug, Petkoviq arrestimin e ish-policit Pantiq e ka quajtur hakmarrje.

“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Kurtit kanë arrestuar Dejan Pantiqin, ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, i cili është larguar nga ky institucion më 5 nëntor së bashku me kolegët e tij dhe i cili deri atëherë ka qenë i punësuar në stacionin policor në Mitrovicë, në vendkalimin administrativ Jarinje” – ka thënë Petkoviq.

Sipas tij, Pantiq dhe gruaja e tij të shtunën në mëngjes kanë shkuar në Rashkë për të kryer disa detyra private, dhe gjatë kthimit Policia e Kosovës ia ka vënë prangat.

“Bëhet fjalë për hakmarrje brutale dhe frikësim nga Albin Kurti, i cili vendosi të përndjekë tani policët serbë të cilëve, pa asnjë bazë apo provë, po përpiqet t’u atribuojë akte me të cilat nuk kanë lidhje, për të tentuar të frikësojë të gjithë serbët. Me këtë Kurti dëshiron të hakmerret për largimin e të gjitha institucioneve në veri, përfshirë edhe policinë” – thotë Petkoviq.

Në pjesën e veriut të Kosovës është lëshuar alarmi dhe ka filluar vendosja e bllokadave në disa lokacione të ndryshme.

Sot ka filluar vendosja e kamerave të sigurisë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut. Sipas kompanisë private që ka vendosur kamerat, vendosja e tyre është bërë me kërkesën e Policisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dje njoftoi për arrestimin e dy qytetarë serbë, të dy të dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës. Njëri prej tyre ka qenë në kërkim për sulm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovë gjatë një aksioni kundër kontrabandës të zhvilluar në tetor të vitit 2021.

Sulmet që cënojnë sigurinë e vendit tonë, ndaj qytetarëve dhe ndaj zyrtarëve policorë janë të pa pranueshme. Duhet angazhim i gjithsecilit që kryesit e këtyre veprave, pa dallim etnie, të sillen sa më parë para drejtësisë.
“Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë. Me përkushtimin e të gjitha institucioneve, gatishmërinë e zyrtarëve policor dhe bashkëpunimin qytetar, do ia dalim mbanë” – kishte shkruar Sveçla.
Tensionet në veri janë rritur tensionet në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë paralajmëruar të mbahen më 18 dhjetor në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Zgjedhjet do të mbahen si rezultat i dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave dhe serbëve të tjerë që kanë qenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Dorëheqjet erdhën kur po paralajmërohej të fillonte periudha e shqiptimit të gjobave nga Policia e Kosovës për pronarët e automjeteve me targa ilegale serbe. Derisa tensionet ishin në rritje, në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë arritën një dakordim.
Dy ditë më parë, më 8 dhjetor, derisa një patrullë e Policisë së Kosovës po patrullonte në fshatin Serbovc të Zveçanit persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, ku si pasojë është plagosur një polic. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë. Ky rast është duke u hetuar.

Derisa dje, më 9 dhjetor, herët në mëngjes është sulmuar edhe ekipi i gazetarëve të KALLXO.com nga persona të maskuar në Mitrovicë të Veriut.