Foto: Ilustrim

Arrestohet në Zubin Potok i dyshuari që e sulmoi me thikë një person në Istog

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Zubin Potok pasi i njëjti ishte arratisur, duke tentuar kalimin ilegal të kufirit, pas një sulmi që e kishte bërë ndaj një tjetër personi me thikë në fshatin Sine të Istogut.

Fillimisht, PK-ja bën të ditur se me 11 maj rreth orës 15:45 në fshatin Sine të Istogut, në një pjesë malore ka ndodh një lëndim i rëndë trupor i shkaktuar me mjet të mprehtë, thikë.

Sipas policisë, pas një zënke verbale i dyshuari F. P., i lindur më 1966 nga fshati Zllakuqan – Klinë, e godet viktimën Q. A., i lindur me 1972 nga fshati Dubravë-Istog, duke  i shkaktuar lëndime të rënda në pjesën e abdomenit.

Pas dhënies së ndihmës së parë në QKMF në Istog, viktima është dërguar në Spitalin Regjional në Pejë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Kurse, i dyshuari F. P. pas kryerjes së veprës ishte arratisur në drejtim të pa njohur, njofton tutje policia, por që u arrestua vetëm një ditë më pas.

“Mirëpo njësitet përkatëse Policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme operative për arrestimin e të dyshuarit. Kështu që është arrit që me datë 12.05.2020, njësiti i hetimeve pran Stacionit Policor në Istog, falë bashkëpunimit me qytetarë ka marr informatë për vendndodhjen e të dyshuarit dhe menjëherë kanë vepruar duke bërë arrestimin e këtij personi në qytetin e Zubin Potokut”, thuhet në komunikatë.

Policia thekson se arrestimi është kryer në bashkëpunim të afërt me Njësitë Policore të Stacionit Policor në Zubin Potok.

“Gjatë hetimeve është vërtetuar se i dyshuari ishte në kontakt me disa të afërm të tij për të shikuar mundësin e arratisjes apo kalimit ilegal në Serbi”, njofton policia.

Pas arrestimit të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të shtetit i caktohet masa e ndalimit  për 48 orë.