Foto: KALLXO.com

Arrestohet në Kosovë një shtetas i Shqipërisë i dyshuar për disa vepra penale

Një operacion në koordinim në mes të Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ka rezultuar me arrestimin në Kosovë të një shtetasi shqiptar, të akuzuar për disa vepra penale.

Policia e Shtetit Shqiptar ka bërë të ditur se i arrestuari është Aldo Majnishta, 29 vjet, i lindur në Shkodër.

Sipas Policisë, ky shtetas në momentin e kapjes ka paraqitur para autoriteteve kosovrae dokumentet e një shtetasi tjetër.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vitin 2022 i kishte caktuar 29 vjeçarit masën e sigurisë arrest në burg, për veprat penal për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit J. P” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Gjithashtu, ky shtetas shqiptar ishte dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Apelit në Shkodër me 3 vjet burgim nga të cilat i kanë mbetur për të kryet edhe 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet kosovare ka vijuar procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.