Vetura e dëmtuar në shtëpinë e Bahri Hysenit

Arrestohet i dyshuari për sulmin me granatë dore në shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për sulmin me granatë dore në shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës, Bahri Hyseni, në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, personi i dyshuar me iniciale F.B., është arrestuar për shkak të veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” etj.

“I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar me dyshimin e bazuar se ka sulmuar me granatë dore shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës”- ka njoftuar Prokuroria.

Ndaj personit të dyshuar brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, thuhet në njoftim.

Më 31 gusht, shtëpia e Bahri Hysenit, kryesuesit të bordit të Ndërmarrjes Publike “Trepça” është sulmuar me mjet shpërthyes.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Hyseni.

Hyseni tha se nuk ka të lënduar ndërsa të dëmtuara kanë mbetur dy veturat të cilat ishin në oborrin e shtëpisë në Mitrovicë.

Policia jep detaje për sulmin me mjet shpërthyes në shtëpinë e Bahri Hysenit