Foto: Ilustrim

Arrestohen pesë persona, dyshohen për përgatitje të veprave terroriste

Pesë persona janë arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovën nën dyshimin për përgatitje të veprave terroriste.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar sot se pas një hetimi disa mujorë dhe zbatimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, me urdhër të kësaj prokurorie, është zhvilluar një operacion nga ana e Policisë së Kosovës, respektivisht nga Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe janë arrestuar të dyshuarit.

Prokuroria Speciale tutje ka njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.

Gjithashtu, sipas prokurorisë ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me  veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”  nga neni 364  paragrafi 2 i KPRK-së.

PSRK, njofton se personat e njëjtë dyshohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Po ashtu, Prokuroria Speciale, brenda afateve kohore ligjore do të bëjë kërkesë për caktim të paraburgimit për pesë personat e ndaluar.