Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arrestimi i postierit, flet për KALLXO.com kryeshefja e Postës së Kosovës

Një ish- postier i Postës së Kosovës me inicialet M.B. është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës nën dyshimin se i njëjti nuk ka dorëzuar 2 mijë e 26 dërgesa postare te palët e adresuara.

Me këto veprime M.B. po dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

KALLXO.com ka kontaktuar me ushtruesen e detyrës të kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, e cila tha se rasti fillimisht është iniciuar nga zyra ligjore e ndërmarrjes që po udhëheq.

“Rasti ka qenë më herët. Personi ka qenë postier në Postë, inspektorati postar e ka zbuluar këtë rast, pra është inspektu dhe kemi konstatuar se ka pasur shkelje. Në momentin që kemi dyshu se shkelja mund të jetë më e madhe e ne nuk kemi pasur mundësi hetimi, departamenti ligjor e ka iniciuar rastin në Polici dhe Prokurori”, tha Kadiu.

KALLXO.com raportoi në lidhje me arrestimin e M.B.

Policia njoftoi se shtëpia e M.B. është bastisur.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi (dërgesat postare) të pa dorëzuara nga i dyshuari i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre tek palët e adresuara gjate kohës sa ka qenë punëtorë i Postës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

Sipas këtyre të fundit, punëtori i Postës së Kosovës nuk ka dorëzuar tek palët 682 shkresa të gjykatës, 512 fatura të tatimit në pronë, 337 fatura të operatorit Vala, 57 dërgesa ndërkombëtare, 200 shkresa të Trustit Pensional, 197 fatura të bankave, shtatë shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 dërgesa nga Komuna e Lipjanit, një dërgesë nga AKP, 14 dërgesa nga përmbaruesit privatë, një dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

2 mijë e 26 dërgesa të ndryshme sipas Policisë, i dyshuari M.B.  kishte për obligim t’i dorëzonte tek palët e adresuara në bazë të detyrës së tij zyrtare.

Arrestohet një punëtor i Postës së Kosovës, nuk dorëzoi mbi 2 mijë dërgesa postare

www.kallxo.com