Arrestohet një punëtor i Postës së Kosovës, nuk dorëzoi mbi 2 mijë dërgesa postare

Një punëtor i Postës së Kosovës është arrestuar nën dyshimin se nuk ka dorëzuar 2 mijë e 26 dërgesa postare, të cilat duhej t’i dorëzonte gjatë kohës sa ishte punëtor i Postës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se arrestimi i M.B. është bërë gjatë ditës së sotme.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka arrestuar personin e dyshuar me iniciale (M.B. )”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje të njëjtit kanë thënë se është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi (dërgesat postare) të pa dorëzuara nga i dyshuari i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre tek palët e adresuara gjate kohës sa ka qenë punëtorë i Postës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

Sipas këtyre të fundit, punëtori i Postës së Kosovës nuk ka dorëzuar tek palët 682 shkresa të gjykatës, 512 fatura të tatimit në pronë, 337 fatura të operatorit Vala, 57 dërgesa ndërkombëtare, 200 shkresa të Trustit Pensional, 197 fatura të bankave, shtatë shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 dërgesa nga Komuna e Lipjanit, një dërgesë nga AKP, 14 dërgesa nga përmbaruesit privatë, një dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

2 mijë e 26 dërgesa të ndryshme sipas Policisë, i dyshuari M.B.  kishte për obligim t’i dorëzonte tek palët e adresuara në bazë të detyrës së tij zyrtare.

“Me këto veprime personi i dyshuar (M.B,) dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar” sipas nenit 414 të kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

I njëjti pas arrestimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.