Foto: MPJD

Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, MPJD: Janë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka bërë të ditur se pas njoftimit për arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar) ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. MPJD ka thënë se janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Për këtë rast MPJD thotë se është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisë sё Madhe nё Serbi.

MPJD i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të marrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka edhe njëkohësisht, siç thuhet në njoftim, të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Daka nga organet serbe”- thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Avokati Xhevdet Smakiqi ka bërë të ditur se Hasan Daka nga Prizreni është arrestuar sot në mëngjes në Merdarë nga policia serbe. Siaps tij, Daka po udhëtonte me vëllanë e tij drejt Italisë.

Avokati Smakaj ka bërë të ditur se Daka është dërguar në qendrën e ndalimit në Kushumli.

Ish-ushtari i UÇK-së arrestohet nga policia serbe në Merdarë