Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Vitia: Ka insulina për pesë muaj për të gjithë diabetikët në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media ka bërë të ditur se për pesë muajt e ardhshëm Ministria ka siguruar insulinat për nevojat e diabetikëve.

Sipas ministrit Vitia, sasia e blerë do të mbulojë nevojat e të gjitha komunave.

“Nuk e di më kë keni pasur komunikim mirëpo kjo nuk qëndron. Kemi sasi të mjaftueshme për insulinave për pesë muajt e ardhshëm dhe për secilën komunë dhe ajo që duhet është vetëm që komunat të dërgojnë listat”, ka thënë Vitia.

Pas një periudhe disa mujore që qytetarët u përballën me mungesë të insulinave, Ministria e Shëndetësisë më 16 korrik, ka filluar shpërndarjen e insulinave në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të Kosovës.

Sipas ministrisë, do të bëhej shpërndarja e insulinave për pacientët me diabet nëpër gjitha qytetet e Kosovës.

“Njoftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se pas hapjes së rrugëve ligjore, Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar të gjitha procedurat për furnizimin e insulinave”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

KALLXO.com ka raportuar për mungesën e insulinave në të gjitha qytetet e Kosovës dhe ballafaqimin e qytetarëve të prekur nga diabeti me mungesën e tyre.

Ministria e Shëndetësisë kishte filluar procedurat e prokurimit qysh në muajin dhjetor, por tenderi ishte bllokuar në OSHP.Insulinat është siguruar tash pas më shumë se gjashtë muaj. Siç kishte deklaruar Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com, zgjidhjen është bërë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) të Bankës Botërore.“MSh ka iniciuar procedurat përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) -Banka Botërore për një proces të përshpejtuar sigurimit të pesë llojeve të insulinave humane, me qëllim të eliminimit të mungesave aktuale, deri në stabilizimin e këtij procesi”, thuhej në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.