Apostolova: Veprimet politike të jenë në përputhje me Kushtetutën

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova ka deklaruar se pozicioni i BE-së është se të gjitha veprimet politike duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Këtë deklaratë ajo e ka dhënë pas takimeve të djeshme me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin dhe presidentin Hashim Thaçi.

“Në lidhje me takimet e mia me udhëheqësit e Kosovës, unë theksoj se takoj të gjitha partitë politike dhe liderët si pjesë e mandatit tim diplomatik. Takimi i tyre nuk do të thotë domosdoshmërisht të mbështesë pozicionin e tyre”, ka shkruar Apostolova në Twitter.

Pas zhvillimeve politike, vendet e Quintit dje kanë zhvilluar takime me kryeministrin në detyrë dhe presidentin.

Ky i fundit i ka dhënë mandatin LDK-së për ta formuar qeverinë, përderisa Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se do ta dërgojnë në Kushtetuese Thaçin për këtë vendim.