Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Anulohet konkursi për drejtor të Doganës së Kosovës

Ministria e Financave ka njoftuar që është anuluar konkursi për drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

“Meqë Qeveria e Republikës së Kosovës është në proces të nënshkrimit të Marrëveshjes me Ambasadën Britanike për monitorimin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozitat e larta drejtuese, Ministria e Financave ka vendosur të anulojë konkursin e shpallur më 12.02.2020 dhe ta rishpall këtë pozitë, duke udhëhequr një proces rekrutimi transparent përmes bashkëpunimit të ngushtë me palën britanike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit e konkursit të datës 12 shkurt 2020 dhe i inkurajon ata për riaplikim.

Po ashtu, Ministria inkurajon të gjithë profesionistët që plotësojnë kushtet e konkursit që do të shpallet të aplikojnë për këtë pozitë, ku Ministria e Financave garanton transparencë dhe përzgjedhje të bazuar në meritokraci.

Më 12 shkurt 2020, Ministria e Financave ka shpallur konkurs për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, konkurs i cili ka qenë i hapur për pesëmbëdhjetë ditë nga data e shpalljes.

Pas përfundimit të periudhës së konkurrimit, Ministria e Financave, komfor Kodit Doganor dhe Akcizave, ka themeluar Komisionin rekrutues më 3 prill 2020.

“Në fazën e parë, Kryetari i Komisionit ka qenë në koordinim me partnerin zbatues të Marrëveshjes me Ambasadën Britanike për planifikimin dhe inicimin e vlerësimit të aplikacioneve” vazhdon njoftimi i Ministrisë.

Me shfaqjen e situatës pandemike, me rekomandimin e të gjithë anëtarëve të Komisionit rekrutues si dhe në dakordim me partnerin zbatues – Ambasadës britanike, Ministria i Financave më 18 mars 2020 ka pezulluar zbatimin e procedurave të rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Ndërkohë, edhe Marrëveshja me Ambasadën Britanike ka skaduar dhe me këtë ka pësuar ndryshim edhe procedura e metoda e vlerësimit të kandidatëve.