Anulohet dënimi me burg të përjetshëm për vrasjen e gruas në Kamenicë

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan me të cilin Nuhi Mavroqanit i ishte shqiptuar dënim i përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Gjykata  e Apelit ka njoftuar se Rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rivendosje pasi është aprovuar ankesa e mbrojtësit.

“Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim më dispozitat ligjore. Në fakt nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar, me rastin e zgjidhjes se çështjes juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal, ndaj të akuzuarit dhe veprës se tij”, ka njoftuar gjykata e Apelit.

Sipas Dosjes së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari i kishte shkaktuar bashkëshortes së tij plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

Tutje sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani e kishte goditur bashkëshorten e tij me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i gjykimit të Nuhi Mavrovqanit

Burg të përjetshëm kamenicasit që e vrau gruan e tij me shufër të hekurit