Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, i reagon kryesuesit se nuk i ka dhënë fjalën për replikë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, në KQZ Alim Rama, i ka reaguar kryesuesit të KQZ-së Kreshnik Radoniqi, që nuk ia ka dhënë fjalën për ta replikuar Florian Dushin anëtar i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës i cili kishte akuzuar Ramën se po imponon agjenda partiake në Këshillin për Operacione Zgjedhore.

“Nuk më keni dhënë fjalën pas zotit Dushi i cili thotë se unë e imponoj rendin e ditës. Unë desha të shpjegoj që rendi i ditës për Këshillin për Operacione Zgjedhore u pajtu në mbledhjen e KQZ-së. Diskutimi i pikës për aplikim u morr paraprakisht në mbledhje një ditë më herët. Ka pas konfirmim publik nga të gjithë që në rregull është me diskutu për mënyrën e aplikimit. Krejt çka ka qenë qëllimi ka qenë me diskutu aspekte teknike çka mundet mu përdor nëse mundet diçka mu përdor”, tha Rama.

Rama tha se “në qoftë se unë e them diçka publikisht që zotohem me zbatu diçka unë i përdori gjithë mekanizmat me zbatu. Por është në agjendë që secili votues m`u trajtu barabartë ajo është në agjendën personale dhe në agjendën e Vetëvendosjes”.

Rama kërkoi që të bëhet riformatim i këshillave dhe të bëhet një balancë.

Kryesuesi i KQZ-së Radoniqi, tha se pajtohet se këshillat nuk janë në përbërje të plotë, por sipas tij duhet t’i funksionalizojnë pasi të vijnë edhe dy anëtarët e tjerë.

“Po i presim me ardhë edhe dy anëtarët dhe me u caktu nga ana e presidentës”, tha ai.

Radoniqi kishte porosi edhe për anëtarët e KQZ-së.

“Nëse keni telashe, çështje politike njëri ndaj tjetrit ato janë cështje të juaja kapni rregulloni jo të mijat brenda atyre këshillave se qysh i organizoni ju”.

Radoniqi ka dhënë sqarim edhe për replikën.

“Sa i përket juve zoti Rama për replikë nuk deshta me bo debate të kota jo veç për ju por edhe zoti Dushi me fillu m`u përla ju pa pikë nevoje sepse ishim rend dite tjetër dhe kishim disa çështje operacionale që u dashtë m`i marr për funksionimin e sekretariatit. Çështjet e juaja që i keni ju politike agjendat e juaja… m`u me intereson sekretariati me pas rrugën qel me fillu punën sepse jemi në proces zgjedhor”, tha Radoniqi.

Radoniqi iu është kthyer edhe fjalës së Kurteshit i cili sipas tij ka kërkuar të rregullohet rregullorja e KQZ-së sa i përket marrjes së fjalës.

“Unë e di që e kemi rregulloren dhe rregullorja e përcakton sa herë mundeni me u deklaru me dhanë mendim. Thotë dy herë, të dytën mundem me ua kufizu”, tha Radoniqi.

Në fund, edhe anëtari i LDK-së Florian Dushi tha se provon me tingëllu profesional gjatë mbledhjeve të KQZ-së.