LDK dhe PDK e akuzon Vetëvendosjen se po imponon agjendë partiake në KQZ

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përfaqësojnë LDK-në, PDK-në dhe Vetëvendosjen kanë shkëmbyer debate gjatë mbledhjes së sotme të këtij institucioni.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së në KQZ e kanë akuzuar anëtarin e LVV-së në këtë institucion, Alim Rama, se po tenton që të imponojë agjendën partiake të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja Florian Dushi, tha se rendi i ditës duhet të përpilohet sipas nevojave të KQZ-së e jo të vendos anëtari Rama.

Dushi propozoi që në rend dite të diskutohet për formimin e këshillave.

“Në këshilla imponohen agjenda partiake dhe takimi i këshillit për operacione zgjedhore nuk ka arrit m`u mbajt. Problemi është mënyra e përpilimit të rendit të ditës. Zotimi publik çfarë ne e kemi pas në mbledhjen e fundit ka qenë për sekretariatin e jo për zotin Rama çka donë me vendos vet pika të rendit të ditës”, tha Dushi.

Dushi tha se rendi i ditës përpilohet bazuar në nevojat e institucionit andaj ka rekomanduar që si pikë të veçantë ta kenë funksionimin këshillave.

Edhe anëtari i KQZ-së Arianit Elshani nga PDK-ja tha se në Këshillin për Operacione Zgjedhore ka tendenca politike.

“Imponimi dhe tendencat politike duhet të ndalen. Një pikë e veçantë në rend dite të jetë diskutimi i funksionimit të këshillave. Po vërehet se këto këshilla kështu sic janë nuk janë funksionale”, tha Elshani.

Kurse anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje Ali Rama tha se agjenda duhet të jetë e njëjtë me atë që është dërguar në email. Ai e ka quajtur agjendën të mangët.

I gjithë ky debat ndërmjet anëtarëve të KQZ-së ka ardhur pasi që para kësaj mbledhjeje kishte dështuar mbajtja e mbledhjes së Këshillit për Operacione Zgjedhore, që kryesohet nga Alim Rama nga Vetëvendosje.

Sipas KQZ-së periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës do të fillojë të shtunën, më 10 korrik dhe do të përfundojë më 18 gusht.