AMMK bën thirrje për mbrojtje të Parqeve Kombëtare nga zjarret

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka bërë thirrje për mbrojtje të Parqeve Kombëtare nga zjarret e mundshme.

Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës / AMMK- MMPHI, këto dy ditë do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35-37 gradë Celsius.

Temperaturat e larta në stinën e verës, përveç ndikimeve negative në shëndetin e njeriut shtojnë dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje, përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare.

Me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, MMPHI/AMMK përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Drejtorisë për Administrim e  Parkut Kombëtar  “Bjeshkët e Nemuna”, ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parqeve.

Për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë më efikase, është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante.

AMMK ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve.

“Ju bëjmë me dije po ashtu se bazuar në Ligjin  Nr. 03/L-233 për mbrojtjen e natyrës parashihen dispozitat ndëshkuese për ndezjen e zjarreve”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu AMMK ka bërë publik edhe numrat emergjent ku qytetarët mund të lajmërojnë zjarret.

Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Bjeshkët e Nemuna” janë: 048 222 718 dhe 044 155 735; dhe

Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Sharri” janë: 045 308 164 dhe 044 263 188.

Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që duhet t’i keni parasysh janë:

Zjarrfikësit: 193;

Policia e Kosovës: 038/192, dhe mobil 192;

Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës: 112; dhe

Ndihma e shpejtë: 194 dhe 038/ 500 094.

Indeksi UV do të mbetet shumë i lartë dhe preferohet zbatimi i këshillave të IKSHP, që nga ora 09:00-17:00 të mos ekspozohemi rrezeve direkte të diellit.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.