Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori Rohde: Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj sulmit që iu është bërë një patrollës së EULEX-it me shok-bombë mbrëmjen e kaluar në veri të Kosovës.

Rohde tha se dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani.

“EULEX-i kontribuon në ofrimin sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani” – tha ai.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë ka dënuar sulmin ndërsa konfirmoi se nga sulmi nuk ka pasur të lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale” – thuhet në njoftim.

Prej ditësh, në veri të vendit është tensionuar situata. Së fundmi, disa barrikada janë vendosur në rrugët që çojnë në pikë-kalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë.