Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman: Prapa Radoiçiqit janë disa struktura, me siguri në Serbi

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se është tërësisht kundër shpërqendrimit të dialogut pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Ai tha se prapë duhet zgjidhja politike.

I ftuar në emisionin RTK Prime në televizionin publik, Rohde u pyet se kush mendon që qëndron prapa Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

“Disa struktura, me siguri në Serbi, me siguri, sepse nuk e di. Ende ka prova që duhen mbledhur, por armatimi me siguri që nuk ka ardhur nga hëna” – u përgjigj ai.

Se a qëndron Serbia prapa këtij sulmi, ambasadori tha se është e vështirë të spekulohet pa u mbledhur të gjitha provat.

Ambasadori gjerman tha se kanë kërkuar nga Serbia që t’i përkrahë hetimet transparente dhe t’i sjellë përgjegjësit në llogaridhënie.

Kosova dhe Serbia, sipas tij, duhet të vazhdojnë të flasin mes vete dhe të fillojnë implementimin e marrëveshjeve.

I pyetur se a mendon që ndërmjetësuesi i këtij dialogu, i dërguar nga BE, Mirosllav Lajçak, është neutral, Rohde tha se po të ishte e kundërta, ai nuk do të ishte ndërmjetësues.

“Lajçak dhe Borrell kanë përkrahjen tonë, kanë bërë përpjekje të mëdha këto vite. Nuk mendoj se është e mençur të goditet ndërmjetësuesi” – u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte akuzuar Lajçakun për anim nga ana serbe në dialogun Kosovë – Serbi.

Ambasadori gjerman tha po ashtu se Policia e Kosovës ka bërë punë shumë profesionale dhe në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in, më 24 shtator.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa anëtarët e tij ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike, Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Gjetja dhe sekuestrimi i armëve dhe i pajisjeve të tjera që grupi terrorist i ka braktisur në Banjskë dhe në zonën përreth po vazhdon ende.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente të Kosovës.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, ai që ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.