Ambasadori amerikan në OSBE: Është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e organizatës

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka paraqitur sot raportin 6-mujor në Këshillin e Përhershëm të organizatës në Vjenë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OSBE, Michael Carpenter, e ka përshëndetur raportin dhe punën e Misionit të drejtuar nga ambasadori Davenport dhe i ka ofruar bashkëpunimin për mbështetjen e zhvillimit të Kosovës si anëtare e komunitetit të kombeve evropiane dhe si demokraci inkluzive e bazuar në qeverisje transparente.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Carpenter ka thënë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e OSBE-së dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë.

“Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë. Ne e presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë” – ka thënë ai.

Ambasadori amerikan në OSBE ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të zbatojnë plotësisht angazhimet nga e kaluara si dhe të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe që të angazhohen urgjentisht në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.