Ambasada e Kosovës në Hagë. Foto: Ambasada e Kosovës në Hagë në Facebook.

Ambasada e Kosovës në Hagë. Foto: Ambasada e Kosovës në Hagë në Facebook.

Ambasada e Kosovës në Hagë prinë me shpenzimet për derivate

Shtetet zakonisht i hapin ambasadat në kryeqytetet e vendeve me të cilat kanë marrëdhënie diplomatike. Kështu ka vepruar edhe Kosova, me pak përjashtime. Holanda është njëri prej atyre shteteve ku Kosova nuk ka ambasadë në kryeqytetin-Amsterdam, por përfaqësinë e saj diplomatike e ka të vendosur në Hagë. Ky qytet, ndër tjera është i njohur për shkak të tribunaleve për krime lufte. Aty janë gjykuar të dyshuarit për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe po aty gjendet edhe selia e Dhomave të Specializuara për gjykimin e të dyshuarve për krimet që pretendohen të jenë kryer në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

Kallxo.com përmes qasjes në dokumente publike ka siguruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të dhënat mbi shpenzimet që i ka mbuluar shteti i Kosovës për ambasadorin Dren Doli dhe ekipin e tij në Hagë gjatë vitit 2023.

Krahasuar me shpenzimet e ambasadave tjera, ajo çfarë bie në sy është se ambasada në Hagë ka shpenzuar më së shumti në derivate, apo gjithsej 12 mijë e 181 euro e 14 centë. E dyta për nga shpenzimet me derivate është ambasada në Berlin, përderisa ambasada që ka shpenzuar më së pakti në derivate është ajo në Bangkok të Tajlandës, me vetëm 405 euro e 80 centë.

Në bazë të raportit të MPJD-së, nga arka e Kosovës për qiranë e rezidencës së ambasadorit Doli janë shpenzuar 28 mijë e 500 euro, apo rreth 2 mijë e 400 në muaj.

Bazuar në përditësimet e fundit në bazën e të dhënave “Livingcost”, e cila bënë krahasimin e kostove të jetesës dhe çmimeve nëpër botë, rezulton se kostoja mesatare e jetesës në Hagë është 1 mijë e 729 euro e 48 centë, duke u renditur kështu në top 23% të qyteteve më të shtrenjta në botë. Gjithnjë, sipas këtyre të dhënave vlerësohet që 1 mijë e 34 euro e 21 centë është kostoja mujore për qira dhe shpenzime për një person, ndërkaq 1 mijë e 782 euro 43 centë është kostoja për një familje katër antarëshe.

Në vitin 2023, ambasadori Doli kishte pagën mujore 3 mijë e 981 euro e 10 centë, ndërsa për sigurimin shëndetësor të tij janë paguar 5 mijë e 891 euro e 40 centë.

Për dreka zyrtare, ambasada në Hagë ka harxhuar 8 mijë e 686 euro e 40 centë, që i përafrohet më së shumti shpenzimeve të ambasadës në Romë me 8 mijë e 249 euro e 46 centë, dhe asaj në Tiranë me 8 mijë e 668 euro e 84 centë.

Ndërsa për shpenzimet telefonike, Doli me 555 euro e 97 centë për një vit, hynë në mesin e pesë ambasadorëve që kanë shpenzuar më se pakti së bashku me homologët e tij në Sofje, New York e Stockholm.

Mbretëria e Holandës ka njohur Kosovën më 04.03. 2008, kurse Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës është themeluar me datë 10.02. 2009.