Ambasada e Frances ne Kosove

Ambasada e Francës në Kosovë: Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran

Ambasada e Republikës së Francës në Kosovë ka deklaruar se vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran.

Përmes një njoftimi në Facebook, Ambasada franceze thekson se e ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet thuhet në njoftimin e Ambasadës së Francës, në Facebook.

Ndërsa, bën thirrje për përmbajtje nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione.

Mbështetja e Ambasadës së Francës për aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës, vjen pas deklarimeve të ambasadorit francez në Beograd se nuk e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KE.

Gjatë një intervistë në televizionin serb,  TV Nova S, ambasadori i Francës në Beograd, Pierre Cochard deklaroi se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka qenë vendim i njëanshëm dhe nuk e mbështesin.

Ndaj deklarimeve të Pierre Cochard ka reaguar Ministria e Jashtme dhe Diasporës, sipas së cilës ajo çfarë ka deklaruar ambasadori Cochard, nuk është qëndrimi i Parisit zyrtar.

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg.