Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MPJD: Deklarata e ambasadorit të Francës në Serbi nuk është qëndrim i Parisit zyrtar

Ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cochard në një intervistë për median serbe, TV Nova S ka thënë se nuk e mbështesin aplikim e Kosovës në Këshillin e Evropës, mirëpo nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaspores në Kosovë është thënë se ky nuk është qëndrimi i Parisit zyrtar.

Sharr Jakupi, shef i kabinetit të ministres së MPJD-së, Donika Gervalla ka thënë për KALLXO.com se lidhur me këtë deklaratë kanë pasur komunikim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, por edhe me Ambasadën e Francës në Kosovë.

“Ajo çfarë ka deklaruar ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cochard, nuk është qëndrimi i Parisit zyrtar. Këtë e bazojmë në komunikimet që kemi pasur me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës por edhe me Ambasadën e këtij shteti mik në Kosovë”, ka thënë Jakupi për KALLXO.com.

Tutje ai ka shtuar se misioni francez në Kosovë vazhdimisht ka konfirmuar mbështetjen në Këshillin e Evropës.

Siç raporton media serbe, TV Nova S, ambasadori Cochard për aplikimin e Kosovës në KE ka thënë se nuk i mbështesin vendimet e njëanshme.

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg.

ShBA-të për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Kosova si vend sovran, përcakton prioritetet e politikës së jashtme