Albin Kurti emëron edhe 8 zëvendësministra

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar edhe tetë zëvendësministra në Qeverinë e tij.

Kurti ka emëruar këta zëvendësministra: Bashrim Shabani, zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal,  Inci Halac-Bylykbash, zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Erxhan Galush, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë  dhe Zhvillimit Rural, Enis Kervan, zëvendësministër  në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hamza Balje, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Sreten Trajković, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, Jasmina Jovanović, zëvendësministre në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, dhe  Milan Radojević, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike.

Koalicioni LVV-LDK janë dakorduar që t’i kenë 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe rreth 35 zëvendësministra.

Dje, kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu.

Sipas njoftimit, shkarkimi është bërë për shkak se ministri mbrëmë u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri gjithashtu tha se ky ministër ka përhapur panik  duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të iniciojë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

Vendimi erdhi pas një mbledhjeje të Kryesisë së partisë.

“Diskutuam për rrezikimin e marrëdhënieve me SHBA për heqjen e tarifës dhe problemi që lindi me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshje për bashkëqeverisje – shkarkimi i ministrit Agim Veliu”, tha Isa Mustafa pas takimit të Kryesisë së LDK-së.