Albin Kurti e arsyeton largimin e fotografisë së Hashim Thaçit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka arsyetuar veprimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, për largimin e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga kabineti i saj.

Kurti gjatë emisionit ‘Debat’ në RTK ka thënë se Osmani duhet të ketë pasur ‘arsye të thellë’.

Sipas tij, kryeparlamentarja mund te këtë vërejtur ndonjë mungesë në zyrën e saj.

“Nuk e paskam ndjekur këtë lajm se kam qenë në takime edhe në aktivitete prej mëngjesit sot. Mirëpo është mirë me dhanë përgjigjen kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Unë nuk besoj që ajo bën veprime pa arsye të thella. Unë besoj në arsyen e zonjës Osmani që më së miri është ta shpreh ajo. Mbase e ka vërejtur ndonjë mungesë dhe ka vepruar ashtu”, tha Kurti.

KALLXO.com ka raportuar sot se Vjosa Osmani është përkujdesur që në murin e zbrazur të lënë nga Glauk Konjufca të vendosë fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se nuk e ka larguar nga kabineti i saj fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, por vetëm e ka zhvendosur atë.

Osmani tha se e ka vendosur fotografinë e presidentit Ibrahim Rugova për t’u inspiruar.

Ndërkaq, PDK ka kërkuar që urgjentisht të kthehet fotografia e Thaçit.

PDK kërkon të kthehet fotografia e Hashim Thaçit në Kuvend