Ilustrim

Akuzohen se manipuluan 69 vota mes kandidatëve të LVV-së, dështon seanca ndaj 8 të akuzuarve

Aktakuza ndaj 8 personave për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e 2017 ka dështuar të mbahet sot për shkak të mungesës së dy të akuzuarve.

Luljeta Kelmendi, Altin Bekteshi, Feime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardh Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi akuzohen nga prokuroria se kanë falsifikuar rezultatet e votimit për deputet në Kuvendin e Kosovës, në qershor të vitit 2017.

Ndaj të njëjtëve sot ishte paraparë të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar me gjyqtar të çështjes Gëzim Ademi.

Kjo seancë dështoi të mbahej meqë nuk ishin përmbushur kushtet ligjore, duke munguar të pandehurit Vlora Jasharaj dhe Samsun Bolukbashi, kurse e pandehura Luljeta Kelmendi u shpreh se nuk kishte caktuar avokat sepse nuk kishte pranuar asnjë shkresë të lëndës.

Se nuk e kishin pranuar asnjë shkresë të lëndës, u shprehën edhe avokatët mbrojtës të pranishëm në seancë.

Sipas dosjes së prokurorisë, të lartpërmendurit dyshohen se kanë manipuluar me gjithsej 69 vota të kandidatëve brenda subjektit të njëjtë politik, ashtu që kandidatëve të preferuar nga LVV u kanë shtuar 50 vota dhe kandidatëve tjerë nga i njëjti subjekt u kanë hequr 19 vota.

Të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake, dyshohet se i kanë kryer këto veprime në shkollën fillore “Dardania “ Prishtinë, në vendvotimin nr. 1904 E/08R.

Këto rezultate të falsifikuara i kishin bartur në Formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve, me ç’rast kishin dëmtuar KQZ-në, përshkruhet në dosjen akuzuese.

Në kohën e kryerjes së veprës penale të pretenduar nga prokuroria, e akuzuara Luljeta Kelmendi kishte qenë në cilësinë e kryesueses së Këshillit të vendvotimit, ndërsa të pandehurit tjerë kishin qenë anëtarë të Këshillit.

Vepra penale që i’u vihet në barrë të pandehurve është “ Falsifikimi i rezultateve të votimit”.

Në dosjen e prokurorisë të datës 29.10.2021, përshkruhet se të pandehurit e kanë mohuar kryerjen e veprës penale që u vihet në barrë dhe se nuk kishin pasur njohuri si kishin ardhur deri tek mos-përputhja e rezultateve të votimit.

Provat të cilat vërtetojnë sipas Prokurorisë se të pandehurit kanë kryer veprimet e kundërligjshme i mbështet në: librin e votimit për vendvotimin në fjalë, formulari i përputhjes së të dhënave  ku shihen votat e bartura, formulari i rinumërimit ku shihen votat reale, formulari i përputhjes së të dhënave të kandidatëve, formulari i rezultateve të kandidatëve i rinumëruar, subjektin politik dhe pasqyra e Rezultateve të numëruara në vendvotim dhe rezultatet pas rinumërimit.

Seanca pritet të mbahet më 14 korrik ora 08:45, ku palët u urdhëruan nga gjykatësi Gëzim Ademi që të pajisen me shkresat e lëndës tek prokurori Ilaz Beqiri.

Gjykimi ndaj 8 të akuzuarve për falsifikim të rezultateve të votimit | Foto: KALLXO.com