Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Aktivistët e pavarur të LGBTQ+ kërkojnë shkarkimin e deputetes Duda Balje nga pozita e kryetares në Komisionin për të drejta të njeriut
Platforma e aktivistëve të pavarur LGBTQ+ “Dylberizm” kanë kërkuar shkarkimin e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Duda Balje nga pozita e kryetares në Komisionin për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, viktima të dhunës seksuale dhe peticione lidhur me qëndrimet e saj për martesat mes gjinisë së njëjtë.
“Kryetarja e Komisionit për të Drejtat të Njeriut të deklarohet kundër të drejtave të njeriut është jashtëzakonisht shqetësuese dhe ky akt i tillë duhet të dënohet urgjentisht. Balje, jo vetëm që po bën thirrje kundër respektimit të të drejtave të njeriut, por po i kontribuon diskursit publik homofobik dhe transfobik”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, shkarkimi i saj nga kjo pozitë është urgjent dhe i nevojshëm për respektimin e të drejtave të njeriut dhe krijimin e besimit të qytetarëve te ky komision.
“Shkarkimi i Duda Baljes nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione është Urgjent dhe tejet i nevojshem për respektimin e të drejtave të njeriut dhe krijimin e besimit të qytetarëve te ky komision”, thuhet tutje në reagim.
“Të drejtat e njeriut nuk janë çështje mendimesh e pikëpamjesh personale! Mohimi i të drejtave të njeriut ndaj personave LGBTIQ+ kontribuon në shtypjen sistematike ndaj tyre, asgjësimin e përvojave të tyre dhe çnjerëzimin e këtij grupi të shtypur shoqëror”, thuhet në reagimin e kësaj platforme.
Tutje, sipas aktivistëve, Balje si deputete ka përgjegjësi ligjore t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe t’i mbrojë ato, pa dallim
“Si deputete e Kuvendit të Kosovës, ajo e ka përgjegjësi ligjore të i respektojë të drejtat e njeriut, t’i mbrojë ato dhe të angazhohet në avancimin e të drejtave të grupeve të shtypura shoqërore, dhe të i përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, gjinie, orientimi seksual”, thuhet tutje në reagim.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka bindje të njëjtë me prijësit fetarë të Kosovës sa i përket martesave të personave të gjinisë së njëjtë.
Ajo këtë gjë e bëri të ditur përmes një njoftimi në Facebook, duke thënë se nuk mund të dalë kundër fesë së saj dhe vlerave me të cilat është rritur.
Balje potencon se do të votojë kundër Kodit Civil që përmban lejimin e martesave mes gjinisë së njëjtë.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 24 shkurt në seancë plenare nga ora 10:00, në të cilën mes tjerash në rend dite është edhe shqyrtimi në parim i Projektkodit civil të Republikës së Kosovës.
Në këtë Projektkod një referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës mes gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.