Një deputete del pro qëndrimit të prijësve fetarë sa i përket martesës së personave të gjinisë së njëjtë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka bindje të njëjtë me prijësit fetarë të Kosovës sa i përket martesave të personave të gjinisë së njëjtë.

Ajo këtë gjë e bëri të ditur përmes një njoftimi në Facebook, duke thënë se nuk mund të dalë kundër fesë së saj dhe vlerave me të cilat është rritur.

Balje potencon se do të votojë kundër Kodit Civil që përmban lejimin e martesave mes gjinisë së njëjtë.

“Siç jeni në dijeni, nesër në rend të ditës në seancën plenare kemi në shqyrtim dhe votim Kodin Civil. Pikë e rendit të ditës është që ky Kod Civil përmban edhe lejimin e martesave të gjinisë së njejtë. Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR.Kundër, sepse nuk perketë me kulturen, traditen në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”, është shprehur Balje.

Edhe prijësit e bashkësive fetare në Kosovë me anë të një deklarate të përbashkët kundërshtuan këtë nismë të Qeverisë dhe bënë thirrje që të hiqet dorë nga kjo ide.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 24 shkurt në seancë plenare nga ora 10:00, në të cilën mes tjerash në rend dite është edhe shqyrtimi në parim i Projektkodit civil të Republikës së Kosovës.

Në këtë Projektkod një referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës mes gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.

Projektkodi Civil i Kosovës, grupet parlamentare deklarohen për martesat mes gjinisë së njëjtë