Aksioni i Doganës, konfiskohen pjesë të veturave në vlerë 10 mijë euro

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar pjesë të veturave gjatë një bastisje në një lokacion në Fushë Kosovë, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar.

Sipas Doganës, personat përgjegjës nuk e kanë pasur dokumentacionin përkatës.

“Në objekt janë gjetur pjesë rezervë, ulëse dhe pjesë të tjera të enterierit të veturave. Personat përgjegjës nuk kanë pasur dokumentacion përkatës dhe dyshohet se është i kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Doganës.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se bastisja ka ardhur pas parandalimit të kontrabandimit të autopjesëve dhe instrumenteve tabelorë në pikëkalimin kufitar të Vërmicës më 11 shtator dhe hetimit që ka pasuar këtë rast.

“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet objekti ku këto pjesë të makinave tregtoheshin në mënyrë të padeklaruar. Pas identifikimit të lokacionit është bërë edhe bastisja e këtij lokacioni në Fushë Kosovë” – thuhet në njoftim.

Me këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.