Ilustrim

Aksion nëpër shkollat e Ferizajt, kapen lëndë narkotike dhe armë

Gjatë një aksioni në shkollat e mesme në Ferizaj, policia ka arritur të identifikojë dy nxënës të cilët kanë pasur në posedim lëndë narkotike dhe armë.

Në  oborrin e njërës  shkollë të  mesme të lartë në Ferizaj, Policia ka ndaluar një nxënës të dyshuar me inicialet L.S i moshës 20-vjeçare, ku gjatë kontrollimit të tij janë gjetur qese me substancë të dyshuar të narkotikëve dhe ndaj tij është iniciuar një rast penal për procedura të mëtejme hetimore.

Ndërkaq, në oborrin e një shkolle tjetër të mesme të lartë në Ferizaj, është ndaluar një tjetër nxënës, ku gjatë kontrollit në çantën e tij është gjetur një mjet, boks hekuri.

Ndërsa pas bisedës me të, ai ka pranuar se kishte edhe një armë zjarri të fshehur në një shtëpi të pabanuar në një fshat të Ferizajt. Policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe ka gjetur dhe konfiskuar armën e zjarrit pa fishekë.

Personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në  Ferizaj dhe me vendim të prokurorit për të mitur nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, është  iniciuar rast penal “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” për procedura të mëtejme hetimore.