Aksident në Rogoqicë të Kamenicës, vdes një polic

Një zyrtar policor ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është lënduar, si pasojë e një aksidenti në fshatin Rogoqicë të Kamenicës mesditën e sotme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:20, në vendin e quajtur ‘Te Tyrbja’ në fshatin Rogoqicë të Kamenicës.

Sipas Policisë, në aksident kanë qenë të përfshira një mjet motorik katërrotësh i Policisë së Kosovës dhe një veturë civile.

“Nga spitali rajonal jemi njoftuar se njëri zyrtar policor i përfshirë në aksident ka ndërruar jetë si pasoj e lëndimeve të pësuara në aksident. Ndërsa një pjesëtar tjetër i Policisë së Kosovës që ka qenë bashkë në mjetin motorik ka pësuar lëndime të rënda trupore po trajtohet në qendrën rajonale emergjente në Gjilan” – ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.