Liqeni i Badovcit, FOTO: KALLXO.com

Ahmeti tregon si u gjet vetura e rojës së vdekur të pyllit

Një rojtar pylli dyshohet se është vrarë mbrëmjen e kaluar. Prokuroria ka thënë se viktima ishte gjetur me plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Lidhur me vdekjen e këtij punëtori ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti tha se mbrëmjen e kaluar Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur dhe e hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës në afërsi të Liqenit të Badovcit.

“Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli. Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit”, ka shkruar Ahmeti.

Tutje ai ka shprehur edhe ngushëllime për familjarët.

“Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si Komunë do të ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë”, thuhet në postimin e tij.

Sipas Ahmetit, vrasja e rojtarit të pyllit, ‘dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës’.

Sot zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se prokurori i rastit do të lëshoj urdhëresë gjatë ditës së sotme për tu kryer edhe autopsia e viktimës.

Tutje Ulaj, tregoi edhe se rasti në prokurori është cilësuar si vrasje e rëndë.

Afër Liqenit të Badovcit gjendet një person i vdekur

Afër Liqenit të Badovcit gjendet një person i vdekur