Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ahmetaj: Votuesit e refuzuar jashtë vendit, janë në lista të votuesve në Kosovë

Burim Ahmetaj, Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së ka thënë se votuesit jashtë vendit të cilët janë refuzuar, janë në listën e votuesve brenda vendit.

“Votuesit të cilët janë refuzu dhe që nuk mund të jenë në listën jashtë vendit ata janë në listën brenda vendit. Nuk kemi heq asgjë prej asaj liste ata janë në listë përfundimtare të votuesve”, tha ai.

Ahmetaj ka folur edhe rreth votuesve të cilët janë të ngujuar shkaku i COVID-19.

Ahmetaj shtoi se sekretariati është në komunikim të vazhdueshëm me shtabet emergjente por sipas tij jo të gjitha rastet kanë mundur t’i identifikojnë shtabet komunale.

Ahmetaj tha se në secilën komunë do t’i publikojnë numrat e zyrtarëve komunalë ku qytetarët e ngujuar të mund të adresohen dhe t’u dërgohet ekipi mobil.

“Do t’i publikojmë numrat nëpër secilën komunë të zyrtarëve komunal ku ata do të mund të adresohen dhe të na tregojnë që për këtë arsye nuk mund të votojnë në mënyrë të rregullt në mënyrë që t’ju ofrojmë mundësinë që të dërgojmë ekipe mobile te secili person që është i ngujuar për shkak të Covid”, tha Ahmetaj.