Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ahmetaj: Pakot me fletëvotime përmes postës, të sigurta në Ministrinë e Infrastrukturës

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj në mbledhjen e sotme të këtij institucioni tha se pakot me fletëvotime përmes postës që vijnë në Kosovë do të jenë të sigurta dhe do të vendosen në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ahmetaj shtoi se në objektin e MI-së, ka hapësirë të mjaftueshme për pakot.

“Vendi i pritjes i pakove është në Ministrinë e Infrastrukturës. Vendi është i sigurt, do të instalojmë edhe kamera. Ne baza ditore do ti marrim votat. Do t’i njoftojmë te gjitha palët në kohën kur do të bëhet tërheqja në baza ditore”, tha ai.

Për kujdes ndaj këtyre pakove bëri thirrje edhe anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Ibrahim Selmanaj.

“Ti ruajmë votat t’i kemi parasysh. Besoj se edhe ne do të jemi vigjilent në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërkaq, Sami Kurteshi nga Vetëvendosje tha se koha e fundit për arritjen e pakove më 12 shkurt është gabim si vendim.

“Me këtë ne ua vjedhim disa orë njerëzve, po e kufizojmë një të drejtë të njerëzve për disa orë. Aktgjykimi i Kushtetueses e cakton 24 orëshin. E kundërligjshme është data 12, ora 24. Unë po kërkoj që data e fundit kur mund të pranohen pakot me fletëvotime është data 13 shkurt ora 12”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha se është e kot të bëhet ky diskutim për datën pasi sipas saj plani operacional është miratuar.

“Kushdo qe konsideron qe i është shkelur ndonjë e drejtë mund të ankohet në PZAP”, tha ajo.