Agron Bajrami pritet të jetë ambasador në Bruksel

Ish-kryeredaktori i medias “Koha Ditore”, Agron Bajrami pritet të jetë ambasador i Kosovës në Bruksel.

Sipas burimeve të KALLXO.com brenda komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Bajrami ka kaluar procedurat e intervistimit për të qenë diplomat në këtë vend.

KALLXO.com ka provuar të marrë një prononcim nga Agron Bajrami, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur për këtë çështje.

KALLXO.com poashtu ka dërguar pyetje edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), mirëpo edhe nga ta kanë munguar përgjigjet deri në publikimin e këtij teksti.

Në anën tjetër, drejtuesja e grupit medial “Koha”, Flaka Surroi ka njoftuar Agron Bajrami është liruar nga detyra e tij që nga 25 tetori.

“Pas një shtegtimi shumë të gjatë dhe punës së palodhshme së bashku për ta mbajtur besueshmërinë dhe profesionalizimin larg të gjitha presioneve dhe ndërhyrjeve nga jashtë, me marrëveshje dhe mirëkuptim, i ndamë rrugët me Agronin. Që nga 25 tetori, e kam liruar nga të gjitha obligimet ne kompani, duke i uruar sukses në shtegtimin e ri profesional”, ka shkruar ajo në facebook.

Në maj të këtij viti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kishte kërkuar nga presidentja e vendit që t’i liroj nga detyra 12 ambasadorë politikë.

Ambasadorët e shkarkuar kanë shërbyer në: Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Katar.