Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.

AGK-ja e dënon sulmin e imamit nga Vushtrria ndaj ekipit të “Insajderit”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar e një ekip i portalit “Insajderi” është sulmuar të premten, në Vushtrri nga një imam lokal.

Sipas AGK-së, gazetarja, Dijellza Preniqi dhe kameramani Albert Bislimi, janë sulmuar në xhaminë “Sheikh Zayed” nga hoxhë Bedri Halili, pasi kishin shkuar të bisedojnë me të për disa deklarata të publikuara online ku dëgjohet të ketë fyer gratë, duke thënë se nuk duhet të organizohen “dasma për k*rva”.

Në njoftim thuhet se sipas deklaratës së gazetares, me ta kuptuar pyetjen, imami Halili e ka sulmuar fizikisht atë.

“Hoxha me një vrull dhe një zë të lartë, më drejtohet duke thënë menjëherë ik nga këtu. Me forcë ma kap krahun më shtrëngon dhe më shtyn në distancë një metër. Më referohet me fjalën njëra prej atyre që po pyet je edhe ti”- tha ajo, duke shtuar se Halili ka tentuar ta godasë me një stol të vogël, edhe pas mbërritjes së Policisë në vendin e ngjarjes”- thuhet në njoftim.

AGK-ja, e ka konsideruar të rëndë dhe të papranueshëm sulmin fizik ndaj ekipit të gazetarëve.

“Përkundër faktit që sulmi ka vazhduar edhe në prezencë të Policisë, imami është liruar pas intervistimit me urdhër të Prokurorit”- thuhet në njoftim.

Tutje, AGK-ja, i kë bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet rastin, dhe që ta mbajnë përgjegjës personin që ka sulmuar fizikisht gazetarët.

Polica në raportin 24 orësh ka njoftuar se lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në xhami ka sulmuar gazetaren femër kosovare dhe kolegun e saj mashkull kosovar, të cilët ishin duke biseduar me imamin e xhamisë për një intervistë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”- ka njoftuar Policia.