Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abbott: Gjykimi ka të bëj me individë, lufta e UÇK-së dhe e Kosovës për liri nuk janë në gjyq

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar në lidhje me gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Abbott ka deklaruar se ky gjykim ka të bëj me veprime të individëve dhe sipas tij as lufta e UÇK-së dhe e Kosovës për liri nuk janë në gjyq dhe nuk duhet të gjykohen.

“Ky gjyq ka të bëjë me veprimet e individëve. As lufta e UÇK-së dhe as e Kosovës për liri nuk janë në gjyq dhe as nuk duhet të gjykohen. Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë ndërhyrjes së saj, si pjesë e NATO-s, si një kauzë e drejtë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare dhe që të gjithë kosovarët të jetojnë të lirë nga represioni” – shkruan Abbott.

Ambasadori thotë se gjykimi i cili filloi sot është sfidë morale, teksa shton se “ Kosova të ketë guximin të ndjekë drejtësinë për viktimat e tjera dhe të zbatojë sundimin e ligjit për të gjithë qytetarët e saj”.

“Për shumë njerëz në Kosovë, gjyqi që fillon sot është një sfidë morale. Unë kam vizituar shumë monumente në të gjithë vendin dhe në shumë raste viktimave që ata përkujtojnë u mohohet ende drejtësia. Megjithatë, është e drejtë që Kosova të ketë guximin të ndjekë drejtësinë për viktimat e tjera dhe të zbatojë sundimin e ligjit për të gjithë qytetarët e saj, edhe në rrethanat më të vështira” – thotë ai.

Abot thekson se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Sot ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria gjatë fjalës hyrëse të procesit gjyqësor theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk po gjykohet për krime lufte, por vetëm katër ish-udhëheqësit e UÇK-së që janë të akuzuar.