Foto: Dritan Abazoviq, Twitter

Abazoviq ofron që Mali i Zi të jetë mikpritës i dialogut Kosovë - Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, janë takuar në kuadër të Forumit të Prespës në Maqedoni të Veriut.

Abazoviq ka ofruar mundësinë që Mali i Zi të jetë mikpritës i rundit të ri të dialogut Kosovë – Serbi.

“Sapo përfundoi një bisedë e rëndësishme me kryeministrin e Kosovës. Mali i Zi si vend mik i Serbisë dhe Kosovës, por edhe i gjithë të tjerëve në rajon, është gati të presë raundin e radhës të dialogut Beograd – Prishtinë, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë. Promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi” – ka shkruar Abazoviq.

Ai ka theksuar se interesi i përbashkët është të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin e Prespës në Strugë të Maqedonisë se Veriut.

Në kuadër të këtij Forumi, kryeministri Kurti ka takuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend, pas kidnapimit të tre policëve kosovarë të mërkurën brenda territorit të Kosovës.