Abazi kërkon përshpejtim të procesit të anëtarësimit në NATO dhe BE

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian sidomos pas luftës në Ukrainë është prioritet.

Në fjalën e tij në seminarin Rose-Roth, Abazi tha që nuk ka kohë për të humbur sa i përket anëtarësimit të Ballkanit në mekanizma ndërkombëtarë.

“Nuk ka kohë të jemi të relaksuar në Ballkan dhe për këtë arsye përshpejtimi i anëtarësimit në NATO dhe BE është prioritet kryesor. Nuk kemi të bëjmë me njohjen e Kosovës nga 5 vendet mosnjohëse por kemi të bëjmë me sigurinë dhe stabilitetin. Pas 24 shkurtit asgjë më nuk është e njëjtë” – tha ai.

Sot po mbahet dita e dytë e seminarit Rose-Roth, i cili organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.

Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.