AAK: Vendimi i Ministrisë së Arsimit për librat është provokim për grevë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se vendimi i Ministrisë së Arsimit për blerjen e teksteve shkollore nga ana e prindëve pas transferimit të parave tek ta, është provokim për grevë në arsim.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky vendim është në dëm të arsimit publik dhe xhepit të qytetarëve.

“Vendimi i MASHT për tekstet shkollore, nuk ka logjikë, në asnjë vend që një vendim i qeverisë të merret 2 javë para fillimit të mësimit. Ky vendim ka mujt me u marrë që dy tre muaj. Ky është vendim që me provoku grevën në arsim, me dëmtu arsimin publik, me kriju edhe një krizë dhe me dëmtu qytetarin”- tha ai.

Tahiri tha se kjo situatë mund të përfundojë vetëm më shkarkimin e kësaj qeverie.

“Në fillim të shtatorit kur të nis seanca, ne kemi kërkuar që të nis me një seancë të jashtëzakonshme e pika e parë të jetë mocioni i mosbesimit ndaj kësaj qeverie”- u shpreh ai.

Gjatë konferencës për media, Tahiri ka përmendur edhe aferën e rezervave shtetërore.

“Për këtë hajni e cila është ashiqare qeveria hesht, e akuzon gjyqësinë dhe prokurorinë.Kjo qeveri dhe ky kryeministër don të ketë sistem paralel dhe nuk ka asnjë deklarim të vetëm që lidhet me kërkesën për hetim të pavarur. Për të ndodh një hetim i pavarur fillimisht duhet të shkarkohet ministrja Rozeta Hajdari”- tha Tahiri.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të hënën ka njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova.

Nagavci tha se për këtë çështje pritet të vendoset brenda këtyre ditëve.

Ministrja e Arsimit tha se deri tek shqyrtimi i një opsioni të tillë kanë ardhur me qëllim rritjen e transparencës së parasë publike.

Zëvendësminsitri i MASHTI-it, Taulant Kelmendi e quajti të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit.

Ai tha se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

Lidhur me këtë ka reaguar Shtëpia botuese “Dukagjini” duke thënë se kanë ofertuar me çmim me të lirë se vitin e kaluar.