Foto: Dega e AAK-së në Prizren/Facebook

AAK kërkon rritjen e koeficientit të pagave prej 105 në 129 euro

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka paraqitur para deputetëve arsyet pse kanë ftuar ministrin e Financave Hekuran Muratin në interpelancë në Kuvend.

Ai tha se dy çështje kryesore për këtë interpelancë kanë të bëjnë me investimet kapitale dhe kërkesa për rritje te koeficientit nga 105 euro në 129 euro për pagat në sektorin publik.

“Kemi ftuar Muratin për iniciativën tonë për rishikimin e buxhetit 2023 për shkak të dy shqetësimeve të mëdha në rrafshin qeverisës, atë të dështimeve në investimet kapitale dhe ngritjen e koeficientit nga 105 në 129 euro” – deklaroi Tahiri.

Ai tha se menaxhimi i fondeve publike në këto dy vite e gjysmë ishte i dobët, jo profesional, partiak dhe i dëmshëm për vendin.

Sipas tij, fondet publike janë dëmtuar dhe rritja e çmimit të lëndës së parë ka shkaktuar bllokimin e punës së operatorëve ekonomikë dhe mos renovim të kontratave.

“Qeveria Kurti në këtë mandat nuk ka arritur të plotësoj vendet e reja të punës. Mbi 700 vende vakante i ka në administratë shtetërore. A po pret me punësu politikisht”- shtoi ai.

Tahiri tutje tha se AAK kërkon rishikimin e buxhetit me urgjencë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur Tahirit për këto çështje. Fillimisht, ai kërkoi që opozita për diskutim kredibil t’i referohet shifrave të sakta.

Ai tha se e konsideron të pa nevojshme një interpelancë të tillë, si kjo që është thirrur sot.

“Ne si qeveri kemi mbështetur të gjitha kategoritë shoqërore. Duke filluar nga studentët, fëmijët, nënat, pensionerët, punëtorët etj. Edhe kur e kemi sjell buxhetin e kemi sqaru që kemi ligj që përcakton se sa mund të rritet tërësia e kostos së pagave. Nivelin e pagave në nivelin publik e mesataren bruto e kemi 720. Ne kemi thënë që për vitin e ardhshëm koeficienti i ri do të jetë 110 euro”- tha ai.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot interpelancë me ministrin Hekuran Murati, me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.