A veproi si duhet Policia në rastin e Shtërpcës, IPK thotë se nuk kanë ndonjë ankesë

Dy të rinj serbë, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, mbetën të plagosur më 6 janar të këtij viti në Shtërpcë, përderisa i dyshuar për plagosjen e tyre është një 32-vjeçar, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ngjarja ndodhi në prag të festës së Krishtlindjes ortodokse, kur qytetarë serbë kishin dalë në rrugë të Shtërpcës e pranë vetes kishin edhe parulla me thirrje etnike.

Veprimet e Policisë së Kosovës për këtë rast ishin diskutuar në “Kallxo Përnime” në debatin për “Tensionet në Shtërpcë”.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com kishte thënë gjatë këtij debati se përgjegjësia në këtë ngjarje bie direkt mbi stacionin e Policisë së Kosovës në Shtërpcë dhe mbi komandantin e këtij stacioni.

E me këtë ishte pajtuar edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tashmë është deputet i Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com është interesuar të dijë nëse rasti në fjalë është duke u hetuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe ka kuptuar se ky rast nuk është duke trajtuar nga ky institucion.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK nuk ka pranuar ndonjë ankesë dhe nuk e ka trajtuar këtë rast. Për informacione shtesë ju lutem i referoheni Prokurorisë së Shtetit” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Në anën tjetër, Gashi thotë se Policia do duhej të kishte ndonjë plan operativ që do të parandalonte që të ndodhte diçka e tillë.

“Në këtë drejtim mendoj që përgjegjësia kryesore për incidentin bie mbi institucionet e sigurisë, të cilat nuk i kanë parandaluar këta njerëz më dal në rrugë edhe me i provoku qoftë këtë pjesëtarin e FSK-së qoftë qytetarët e tjerë” – kishte thënë Gashi.

“Direkt përgjegjësia bie mbi stacionin e Policisë në Shtërpcë edhe mbi komandantin që ndodhet atje” – ishte shprehur tutje ai.

Gashi kishte treguar se në raste të tilla prezenca e zyrtarëve policorë duhet të jetë më e lartë më qëllim të mbarvajtjes së festave.

Ai madje kishte thënë se duhet të ketë analizë në drejtim të asaj se pse nuk ka pasur masë që do të parandalonte një situatë të atillë që kishte ndodhur më 6 janar.

“Mendoj që ish dashtë me e pasë një prezencë të shtuar në ato ditë të Policisë së Kosovës në ato zona në mënyrë që me e parandalu incidente të tilla të cilat munden me qenë ndëretnike ose etnike” – ishte shprehur Gashi.

Ai mandej tregonte se si në Shtërpca në vazhdimësi në të kaluarën ka pasur provokime të ngjashme në kohën kur është festuar Krishtlindja ortodokse.

“Aty është një komunitet që një pjesë e tyre jeton jashtë komunitetit të Shtërpcës, pra ata vijnë për festa dhe gjithmonë kanë një tendencë të rritjes së provokimeve ndaj komunitetit shqiptar, i cili shkon me e vizitu Brezovicën” – shprehej Gashi.

Gashi gjithashtu tregoi se si në ditën që kishte ndodhur ngjarja ka pasur provokime nga ana e qytetarëve serbë në Graçanicë.

“Kemi pa në zonat e Graçanicës për shembull qytetarë serbë të cilët i kanë provoku qytetarët shqiptarë me ngritje të gishtërinjve e tjerë, e tjerë, edhe kemi parë që Policia e Kosovës nuk ka qenë e përgatitur për me trajtu këtë situatë” – thoshte ai.

Gazetari hulumtues në KALLXO.com tregonte se si në rastin e Krishtlindjes ortodokse nuk ishte parë një planifikim i Policisë siç ndodh me festën e Vidovdanit ose gjatë kohës kur një numër më i madh i serbëve e vizitojnë Kosovën për pelegrinazh.

Në anën tjetër, deputeti Rashit Qalaj ka treguar gjatë emisionit se si gjithmonë Policia ka pasur të përgatitura paraprakisht plane operative të ndryshme për të gjitha festat që ekzistojnë për të gjitha komunitetet e vendit.

“Unë pajtohem plotësisht me Kreshnikun që thotë se është dashur të ketë prezencë të shtuar të Policisë. Planet operative kanë të bëjnë që fillimisht t’ia mundësojnë qytetarëve që t’i kenë festat sa më të mira, në këtë rast për pasi po flitet për Krishtlindjen ortodokse, Policia e ka për obligim që t’i shtojë masat” – ka thënë ai.

Tutje Qalaj ka shtuar se kjo do të kishte bërë që pjesëtarëve të këtij komuniteti t’i sigurohej festimi ashtu siç duhet dhe po ashtu edhe të sigurojë që kalimtarët e rastit të kalojnë në ato rrugë pa asnjë problem nga aspekti i sigurisë.

Gjykata Themelore në Ferizaj më 8 janar i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaj të dyshuarit për plagosjen e dy personave të nacionalitetit serb.

Përmes një komunikate për media, Gjykata kishte thënë se ekziston dyshimi i bazuar se A.K., ka kryer tri vepra penale.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata kishte vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshat të komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privojë nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t’i largojë, i njëjti i bie borisë, në pamundësi që të lëvizë tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshjeje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe ka shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit.

Po ashtu, Gjykata ka thënë se i dyshuari në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasojë e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç`rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikatorë dhe 35 copë fishekë i sekuestrohen.

Ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyqet në rrugën që dërgon në qendrën e skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole ka shtënë pesë herë në ajër.