A e kishte takuar në shtator të 1998 në Qirez, Gjergj Dedaj, Hashim Thaçin? - VIDEO

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po dëshmon në Hagë në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dedj mes tjerash ka treguar se nuk e ka parë në Qirez, ish-presidentin Thaçi në shtator të ‘98-tës dhe tha se këtë përgjigje do ta ketë sa herë që të pyetet.

“Edhe një herë po e them, e kam menduar, kam pasë kohë me mëndu masi e kam bo varrimin e familjarëve të mi, 12 anëtarë, edhe pasi i kemi sanu pasojat e luftës, kam pasë kohë me mendu, me kthy memorien, asnjë moment, ndoshta, më kanë bo sytë por edhe kam dashtë me goditë ta zëmë Hashim Thaqin sepse kemi qenë rivalë politikë edhe fushtata edhe ku ta di unë, por nuk e kam pa se nuk jam avokat i presidentit tonë të ndreuar, Hashim Thaçit, ai i ka avokatët e vetë, por unë jam i obliguar me e thanë të vërtetën”- ka deklaruar Dedaj.

“Nuk e kam pa në Qirez Hashim Thaqin dhe sa herë të më pyetni do ta them këtë përgjigje nëse edhe më pushkatoni”- shtoi ai.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Dedaj në Hagë: Presidentja Vjosa më shkarkoi nga detyra ambasadorit dhe në vend meje e dërgoi burrin e saj

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.