Astrit Dehari | Foto: LVV
Prokuroria nis hetimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga IML
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se kanë pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kanë filluar hetimet lidhur me rastin.
‘’Kemi pranuar raportin informues dhe kemi filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe brenda një afati të arsyeshëm besoj do të dalim me gjetje” – tha Isufaj për KALLXO.com
Sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencë ku deklaroi se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes e Astrit Deharit.
“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”- ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se në hapësirën në të cilën ruhen mostrat kanë qasje vetëm tre persona.
“Ky akt është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në tërësi”- ka thënë ministrja.
Haxhiu ka theksuar se menjëherë do të ndërmerren masa për këtë rast “Siguria në IML ende nuk është në nivelin e duhur, kemi dërguar edhe më herët raste në prokurori, tani kanë kaluar çdo kufi. Kushdo që ka guxuar ta bëjë këtë veprim mizor do të përballet me ligjin. Falënderoj u.d. kryeprokurorin për faktin se menjëherë ka marrë masa. I bëjë thirrje stafit ligjor të bashkëpunojnë me policinë për çdo informacion që kanë”, tha ajo.
Haxhiu: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore – VIDEO