A do të dorëhiqen kryetarët e PDK-së në veri, flet Abelard Tahiri

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është pyetur nëse kanë në plan që të dorëhiqen dy kryetarët që vijnë nga kjo parti, të zgjedhur në dy komuna në veri të vendit – Zveçan dhe Zubin Potok.

“Nuk mund të them po ose jo. Është e rëndësishme që çdo veprim qe ndërmerret  nga institucionet tona të jetë në përputhje me rendin tonë kushtetues, nuk duhet të cenohet kushtetutshmëria pastaj modalitetet se si do të zgjidhen janë më pak te rëndësishme” – është përgjigjur Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Për shkak të situatës së tensionuar atje, kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk po shkojnë në objektet komunale në Zveçan dhe Zubin Potok.

Ndërlidhur me situatën në veri, Tahiri ka fajësuar kryeministrin Kurti “për krijimin e kaosit”.

“Kryeministri krejt çka ka bë ka kriju kaos në veri të Republikës. Në veri nuk ka kushte për punë, për asgjë, nuk është njeriu i lirë me ble në market diçka prej bandave. Krejt çka ka bë është reduktimi i sovranitetit. Qëndrimi i PDK-së është të kemi angazhim në bashkëpunim me SHBA-në. Është e dhimbshme të na vijnë sanksione” – ka thënë ai.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të PDK-së theksoi gjithashtu se ditën e enjte – dy seanca te e para do të trajtohet vetëm një pikë – Ligji për Zgjedhjet.

“Janë disa ndryshime esenciale për sistemin tonë zgjedhor. Nga lehtësimi i votimit të diasporës, çështja e numërimit të votave një risi në këtë rast, edhe rekomandimi të misionit të vëzhguesve të Be dhe KQZ, etj. Besoj qe do të dakordohemi që të kemi afate të përshpejtuara që të kalojmë këtë ligj sa më shpejt” – ka thënë ai.