Situata në veri, Kurti takohet me ndihmës-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Groffus.

Sipas një komunikate për media, Kurti e ka informuar Goffus për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët në komunat në veri të Kosovës dhe ka theksuar se është i angazhuar për de-eskalim dhe normalizim.

Në takim, kryeministri ka shprehur se “masat negative të Bashkimit Evropian, kanë krijuar asimetri në dialog”.

“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar. Megjithatë, masat negative të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, që ka sanksionuar agresionin rus në Ukrainë dhe që është në harmoni me politikën e jashtme të BE-së, kanë krijuar asimetri në dialog”- theksoi kryeministri.

Ai po ashtu ka ngritur shqetësim për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër që sipas Kurtit, ka pasur evidenca të bollshme që janë ofruar nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Ai gjithashtu ka ngritur shqetësimin për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës. Po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave”- thuhet në komunikatë.

Në njoftim është bërë e dituar se Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s, KFOR-in, dhe se ndarja e informacionit dhe koordinimi i mirë duhet t’i kontribuojnë si sundimit të ligjit në veri të Kosovës po ashtu edhe përmirësimit të situatës së sigurisë.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Goffus për kontributin dhe rolin e domosdoshëm të NATO-s për çlirimin dhe sigurinë e Kosovës. Kosova me Forcën e saj të Sigurisë, të trajnuar e orientuar nga perëndimi duhet të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s sa më shpejt që është e mundur, theksoi Kryeministri”- theksohet në komunikatë.

Në këtë takim të përbashkët kanë qenë të pranishëm edhe Zëvendës shefi i stafit i operacioneve, Gjeneralmajor Mattew J. Van Wgenen, Shefja për operacione aktuale të NATO-s, znj. Ariella Viehe, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, Shefi i kabinetit në Komandën e KFOR-it, Giuseppe Sgueglia, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, këshilltari i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe asistentja e lartë ekzekutive e Kryeministrit, Valë Gjonbalaj.

Tre policët që po mbaheshin në paraburgim në Kralevë të Serbisë janë liruar më 26 qershor të këtij viti.

Sipas Policisë së Kosovës, tre policët që u arrestuan ishin kidnapuar më 14 qershor nga ana e forcave të Serbisë në afërsi të Leposaviqit, përderisa autoritetet serbe kanë thënë se ata janë arrestuar brenda territorit të tyre.

Ndaj tre policëve, më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin e kryerjes së veprës penale armëmbajtje pa leje, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Po ashtu, është raportuar për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.