Mamografia

877 mamografi në Prishtinë gjatë "Muajit rozë”

877 mamografi janë kryer gjatë muajit tetor – muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në sistemin parësor shëndetësor në Prishtinë, sipas drejtorit të Shëndetësisë, Izet Sadiku.

Sadiku ka treguar se gratë që kanë bërë mamografinë kanë qenë nga 9 komuna: Prishtinë, Lipjan, Fushë-Kosovë, Obiliq, Mitrovicë, Podujevë, Drenas, Malishevë e Ferizaj.

Javën e kaluar, KALLXO.com ka raportuar se për shkak të kërkesave të shumta për t’iu nënshtruar incizimit të gjirit me rëntgen që zbulon kancerin, termini i lirë më i afërt ka qenë më 5 janar të vitit të ardhshëm.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi pati treguar se kjo mundësi nuk do të vlejë pas përfundimit të tetorit.

Kanceri i gjirit prek gratë shumë më shumë sesa burrat.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëm 0.5 deri në 1% e kancereve të gjirit prekin personat e gjinisë mashkullore.