80 për qind më pak subvencionim për ndërmarrjet publike nga janari në mars

Përpos dhjetëra vendimeve për shkarkimin e bordeve nëpër ndërmarrje publike, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte ndarë shumë më pak mjete si subvencion për këto ndërmarrje nga sa i kishte ndarë Ramush Haradinaj.

Në raportin tremujor financiar janar-mars të sivjetmë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, subvencionimi  i ndërmarrjeve publike ra për 80 përqind.

Përderisa për Minierat e Trepçës u ndanë më pak së një milionë euro, për ndërmarrjen “Infrakos” dhe “Trainkos” nuk evidentohet se pati subvencionim të mjeteve.

Sipas raportit, ndërmarrjet publike në periudhën e parë të vitit të kaluar u subvencionuan me 3.78 milionë euro dhe po ashtu në të njëjtë periudhë të vitit 2018 me 3.04 milionë euro, në tre muajt janar-mars të sivjetmë mbështetja për to ishte vetëm 0.77 milionë që i bie vetëm 770 mijë euro.

Në shpjegimet tutje të raportit tremujor, vërehet se me shumën prej 770 mijë euro janë subvencionuar vetëm Minierat e Trepçës, ndërsa në këtë periudhë tremujore nuk evidentohet se pati subvencione për ndërmarrjen publike “Infrakos”, “Tranikos”, ngrohja qendrore, uji dhe hedhurinat.

KALLXO.com kishte analizuar se si “Trainkos” mbijeton nga subvencionet e Qeverisë.

Përveç kësaj, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike operojnë me humbje financiare, madje 10 nga 11 ndërmarrjet publike të Kosovës kishin pranuar opinione negative nga Zyra Kombëtare e Auditimit për pasqyrat vjetore të vitit 2018.

Tutje, emisioni “Drejtësia në Kosovë”, kishte tranmsetuar një hulumtim ku kishte zbuluar dëmet e shkaktuar ndaj ndërmarrjes “Infrakos” ishin zvogëluar me qëllim të uljes së përgjegjësisë së pushtetarëve të akuzuar.

Me marrjen e mandatit, me datën 3 të muaji shkurt 2020, Qeveria Kurti ka shkarkuar bordet e tri ndërmarrjeve publike.

Edhe në muajt pasues, pati shkarkime të bordeve dhe pozitave udhëheqëse në ndërmarrje publike. Bazuar në raporte e auditorit, Qeveria Kurti shkarkoi  bordin e “Hidroregjionit Jugor”, më pas edhe kryeshefin e Besim Baraliu,

Nga bordi i përkohshëm i emëruar shkarkohet edhe kryshefi i ndërmarrjes publike “Infrakos” Agron Thaçi, për shkeljen e detyrave fiducare.

Qeveria shkarkoi edhe bordin e drejtorëve të ujësjellësit “Prishtina”.  Qeveria ka bërë të ditur se arsyet pse është shkarkuar bordi i kësaj ndërmarrje ka të bëjë me: 1. Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi; 2. Mosadresimi i opinionit të Auditorit; 3. Mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm; dhe 4. Emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Në vendimin për shkarkimin e bordit të “Postës së Kosovës”, gjithashtu përmendet Qeveria se është bazuar në raportin për vitin 2018, ku Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërmarrje.

Në tre muajt janar-mars të vitit 2020 për subvencione të përgjithshme u shpenzuan 143.89 milionë euro me një rritje  prej 3 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në tremujorin e njëjtë të 2019-ës, për subvencione dhe transfere u shpenzuan 139.69 milionë euro.

Përmes kësaj kategorie, respektivisht transfereve realizohen shpenzime si për pensione, pagesa për kategori të luftës, pagesa sociale ndërsa nga subvencionet realizohen subvencionet për ndërmarrjet publike, bujqësi etj.